Fitorja dhe paraqitja e Ferrari në garën e fundit në Barcelona ka bërë që “kokëkuqja” të jetë një kandidate serioze për të dy titujt në Formula 1 këtë sezon. I këtij mendimi është kampioni i botës Lando Norris.
Piloti britanik i McLaren, këtë sezon ka fituar vetëm një garë sprint, shumë larg pritshmërive. Edhe kur pritej një reagim më i mirë i kampionëve të botës, rikthimi i Ferrari duket se ka shuar shpresat te McLaren.
Lando Norris, theksoi se vetëm motori me performancë më të ulët po e pengon aktualisht Ferrari të shkatërrojë të gjithë rivalët e tij: “Jemi me fat që Ferrari nuk ka një motor më të mirë për momentin”.
“Ata janë përmirësuar dhe e treguan në Barcelonë, por nëse do të kishin një motor më të mirë, do të dominonin. Ata janë shumë më të mirët për sa i përket performancës në kthesa për momentin”, tha Norris.
Më tej, piloti britanik që mban numrin 1 në makinë, shtoi: “Ne nuk jemi as afër tyre. Kur Ferrari të sjellë përditësime të reja të motorit, mund t’i turpërojnë të gjithë me shpejtësinë e tyre. Ne duhet të përveshim mëngët.”







