Lewis Hamilton shkëlqen në Barcelonë dhe korr fitoren e parë me Ferrari, tërhiqen Antonelli dhe Leclerc

14 Qershor 2026
16:42
Telesport
back button

Pas gati dy vitesh pritje dhe në sezonin e tij të dytë me Ferrari, piloti britanik Lewis Hamilton rikthehet te fitorja në Formula 1 (fitorja e fundit ishte në Belgjikë 2024). Piloti 7 herë kampion bote në Formula 1 triumfoi të dielën në garën e Cmimit të Madh të Spanjës, zhvilluar në Barcelona.

Një festë e madhe për Hamilton por edhe për Ferrari, që gjithashtu nuk fitonte një garë që nga viti 2024 (Sainz, në Meksikë), ndaj kjo mbetet një ditë festime për “kokëkuqen”. Në vendin e dytë u rendit George Russell me Mercedes dhe në të tretin Lando Norris me McLaren.

Një strategji fantastike i dha fitoren makinës Ferrari, që bëri tri ndalesa dhe që corientoi rivalët, duke nxjerrë Hamilton në krye edhe më pak fat. Ndalesa e tretë u krye nën regjimin e makinës virtuale të sigurisë, por makina italiane sot ishte e pakapshme nga rivalët.

Një garë për t’u harruar kjo për pilotin italian Kimi Antonelli me Mercedes. Kryesuesi i Botërorit u detyrua të tërhiqej 5 xhiro nga fundi, pikërisht në momentin që parakaloi Russell dhe ishte i dyti. Po në atë xhiro u tërhoq edhe Charles Leclerc me Ferrari (të dy patën probleme me makinën).

Falë këtij triumfi, Hamilton ngushton në 41 pikë diferencën me italianin, ndërkohë që për Antonelli kjo ishte ndalesa e parë pas 5 fitoresh radhazi. Në vendin e katërt u klasifikua Max Verstappen me Red Bull e pas tij deri në “top-10”, u klasifikuan Piastri, Hadjar, Gasly, Colapinto, Lawson e Lindbald.

Për sa i përket garës, ajo ishte pak e vakët në xhirot e para, por strategjia e Hamilton zuri të gjithë “mat” dhe e bëri të bukur gjysmën e dytë të saj. Britaniku arriti të bëjë diferencën me një Ferrari që dukej i pakapshëm, ndërkohë që rivalët duelonin për podiumin. Për t’u vecuar fakti se të tri vendet e para u arritën nga tri britanikë (kjo s’ndodhte nga viti 1968).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit