Raphael Varane, 31 vjeç, do të largohet nga Manchester United këtë verë, pas skadimit të kontratës së tij. Ai ka luajtur për tre sezone në “Old Trafford” (realizoi 2 gola), pas largimit nga Real Madrid në vitin 2021. Palët kanë vendosur të mos e rinovojnë kontratën.
Dëmtimet e kanë kufizuar Varane të japë më të mirën në fushë, në 93 paraqitje në tre sezonet e tij me “djajtë e kuq”. “Për ju djema, tifozë të Manchester United, kanë qenë disa vite të mahnitshme për të luajtur për këtë klub të veçantë dhe për të veshur atë fanellë”, tha Varane në rrjetet sociale, ku dhe konfirmoi lamtumirën.
“Hera e parë që shkova në Old Trafford si lojtar i Manchester United ishte një çmenduri, atmosfera ishte e mahnitshme. Unë rashë në dashuri me klubin, tifozët. Duhet të luash për Manchester United për të kuptuar se çfarë përfaqëson. Për fëmijët e mi, është shtëpia këtu. Do të jetë një vend i veçantë për mua”, tha më tej Varane.
“Pavarësisht se kemi pasur një sezon të vështirë, unë jam shumë pozitiv për të ardhmen. Pronarët e rinj po vijnë me një plan të qartë dhe një strategji të shkëlqyer. Do të shihemi në Old Trafford për të thënë lamtumirë për ndeshjen e fundit në shtëpi këtë sezon dhe sigurisht që do të jetë një ditë shumë emocionale për mua”, u shpreh francezi.
Thank you for everything, @ManUtd ❤️ pic.twitter.com/4nwJxk4ddf
— Raphaël Varane (@raphaelvarane) May 14, 2024