Për gati dy dekada, futbolli është ndarë mes pyetjes: kush është më i mirë, Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi? Javier “Chicharito” Hernández beson se debati është ngritur gabim. Ish-sulmuesi meksikan tha se gjithçka nisi nga pyetja e vjehrrës së tij: “Kush është më i mirë, Messi apo Cristiano?” Ai iu përgjigj: “Çfarë admiron më shumë?”
Sipas tij, Messi “është mishërimi i talentit të pastër. E bën të pamundurën të duket e thjeshtë. Klubet ndërtojnë sistemet rreth tij, sepse përfaqëson ëndrrën e atij që lind me një dhunti të jashtëzakonshme”. Ndërsa për Cristiano Ronaldon tha: “Ai përfaqëson njeriun që e ndërtoi veten. E ktheu disiplinën në talentin e tij më të madh. Ndryshoi vend, kampionat, gjuhë e sistem loje dhe vazhdoi të ishte po ai”.
Chicharito shtoi: “Shumë prej nesh nuk lindëm më të mirët. Na është dashur të punojmë dyfish për të realizuar ëndrrat”. Ai e përmblodhi me krahasimin: “Messi është Superman, Cristiano Ronaldo është Batman. Superman lindi me fuqi, ndërsa Batman u bë i jashtëzakonshëm falë disiplinës, guximit dhe këmbënguljes. Debati i vërtetë nuk është kush është më i mirë, por cila histori të frymëzon më shumë”.







