Legjenda e futbollit brazilian, Roberto Carlos, i ka dhënë një këshillë bashkëpatriotit të tij, Vinicius Jr, lidhur me ankesat e këtij të fundit për racizmin në Spanjë.
Ai ka thënë se i ka kaluar edhe vetë këto probleme, por ka ditur t’i menaxhojë mirë, gjë që duhet ta bëjë edhe Vinicius.
“Në fakt, unë nuk mendoj se Spanja është vend racist”, është shprehur ish-mbrojtësi i Real Madrid. “E njoh mirë Vinin dhe e dua shumë si njeri. Po flasim për një lojtar të madh”.
“Spanja e di se me lojtarë si Vinicius, futbolli rritet shumë. Spanjollët duhet ta trajtojnë mirë, sepse ai është një yll që sjell kënaqësi në fushë dhe e meriton”.
“Personalisht kam përjetuar të njëjtën gjë dhe nuk kam fyer askënd. Madje, kam qeshur. Secili ka mënyrën e tij të reagimit. Një herë, kur mora topin, tifozët spanjollë kënduan një këngë kundër meje. Kërkoja ta merrja topin sa më shumë, që tifozët të lodheshin. Dhe ashtu ndodhi”.