Ancelotti bën “filozofin”: Kur beson se je i pathyeshëm, një disfatë të rilidh me realitetin

5 Tetor 2024
8:00
Alfred Lleshi
back button

Shkëputja për t’u rilidhur mund të transformojë jetën tuaj… Kështu mendon Carlo Ancelotti. Ky ishte mesazhi i tij më i përsëritur gjatë konferencës për shtyp, para ndeshjes së La Liga-s kundër Villarrealit në “Bernabéu”. “Rilidhuni dhe luani sërish futboll mirë”, – ishte përgjigja e parë që dha trajneri italian. Në të dytën, ai përsëriti sërish idenë: “Ndonjëherë, një seri pozitive ndeshjesh të bën të besosh se je i pathyeshëm, por një disfatë të rilidh me realitetin”.

“Carletto” nuk u fsheh pas disfatës së rëndë ndaj Lille, por donte ta bënte të qartë se dhoma e zhveshjes ka besim se do të arrijë nivelin më të mirë, do të bëjë autokritikën e duhur: “Kemi pak lojtarë që nuk janë në nivelin e tyre më të mirë, ndaj duhet të jemi të durueshëm në këtë kuptim. Na mungon pak intensiteti mbrojtës dhe sulmues në qarkullimin e topit”.

Për lojtarin që e prek topin shumë në mesfushë: “Unë nuk mendoj se na mungon ky lloj lojtari. Camavinga, Modric, Valverde, Bellingham, të gjithë kanë kontakt me topin. Tchouaméni është thelbësor në aspektin mbrojtës të ekipit. Kemi shumëllojshmëri lojtarësh, por tani nuk po e tregojmë si duhet veten. Nuk është se diçka na mungon, asgjë nuk i mungon këtij ekipi”.

Një mendim edhe për Gyler: “Ai luan pak, sepse ka shumë konkurrencë. Nuk është e lehtë të jesh në formacionin e Real Madridit, por është më i spikatur se sezonin e kaluar”.

Çfarë e shqetëson më shumë: “Ne duhet të shqetësohemi për qarkullimin e topit dhe aspektin mbrojtës”.

Ndeshja ndaj Villarreal: “Është një mundësi e madhe, nëse arrijmë të reagojmë mirë. Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës, nuk donim ta humbnin ndeshjen ndaj Lille, dhamë gjithçka në fund të lojës. Kritikat janë të mirëpritura, jemi në rrugën e drejtë dhe më të fortë se kurrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit