Jack Grealish nuk e ka tretur ende mos thirrjen në Europianin e fundit me Anglinë, i cili u mbyll me humbjen në finale ndaj Spanjës (2-1). Lojtari i Manchester City nuk u përzgjodh nga Gareth Southgate, i cili sot nuk është më trajner i “Tre Luanëve”, dhe ende nuk e kupton pse. “Do të jem i sinqertë, nuk u pajtova fare me vendimin. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime”, – tha ai në një intervistë për “BBC Radio 5 Live”.
Grealish, pavarësisht se pranon se nuk ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm, është i bindur se përvoja e tij do të ishte e dobishme: “Ju keni nevojë për pak ekuilibër në çdo pozicion në fushë, tani e konsideroj veten një lojtar me mjaft përvojë. Fitova shumë dhe mendoj se duhej të më grumbullonin në kombëtare për Europianin e Gjermanisë”.
Ish-lojtari i Aston Villa është grumbulluar nga Lee Carsley në shtator, gjithashtu do të jetë me kombëtaren edhe në ndeshjet e ardhshme, i shtyrë nga një shpirt i fortë hakmarrjeje: “Natyrisht që doja të isha në kombëtare sërish, të stërvitem mirë dhe të luaj. Falënderoj trajnerin Lee Carsley që ma dha këtë shans, që beson tek unë”.