Sulmuesi polak Robert Lewandowski nuk e ka kapërdirë humbjen 1-3 që kombëtarja e tij pësoi në Nations League ndaj Portugalisë. Humbje që ka zbritur Poloninë në vendin e tretë në grup, pas Portugalisë e Kroacisë, duke lënë pas vetëm Skocinë.
Lewandowski është ankuar për skemat e lojës së adaptuar së fundi në kombëtare: “Unë nuk jam mesfushor dhe detyra ime nuk është të zbres në vijën e pasme për të marrë topin në gjysmën time të fushës”.
Më tej, sulmuesi i Barcelonës shtoi: “Ndoshta mund ta bëj këtë në stërvitje. Gjatë ndeshjes duhet të qëndroj më afër zonës së penalltisë dhe të pres për krosime, pasime dhe topa derisa të ndodhë diçka”.
“Jo vetëm ndaj Portugalisë, por në përgjithësi, nuk duket se topin e kemi shpesh pranë zonës kundërshtare dhe roli i sulmuesit është të përpiqet të bëjë diçka atje”, është shprehur për “AS” sulmuesi Robert Lewandowski.