Mario Kempes, ikona e futbollit argjentinas, u intervistua nga “Sky” në margjinat e Festivalit Sportiv, të mbajtur ditët e fundit në Trento. Ndër pyetjet që iu drejtuan ishte e ardhmja e Argjentinës, pa Lionel Messin.
“Unë mendoj se ‘Seleccion’ është e fortë, fitoi Kupën e Amerikës dhe Kupën e Botës radhazi, – shpjegoi Kempes, lideri dhe forca lëvizëse e ekipit kombëtar argjentinas, që fitoi Kupën e Botës 1978. – Besoj se secili ka momentin e vet. Kombëtarja e sotme është e re, trajneri Scaloni ka ndryshuar shumëçka, nga skema te lojtarët”.
A mund të bëhet Lautaro edhe më i rëndësishëm? Ja si përgjigjet kampioni i botës: “Unë e konsideroj lojtar të rëndësishëm tashmë për Argjentinën. Ndoshta nuk ishte në gjendje ta tregonte plotësisht veten në Botërorin e Katarit më 2022, por është një lojtar i shkëlqyer. Ai e ka treguar sa vlen në Itali dhe Argjentinë. Herë pas here sulmuesit stopojnë, bëjnë edhe gabime, por Lautaro është një fenomen”.