Pas humbjes 1-4 në fushën e Barcelona një ditë më parë në Champions League, ka folur për mediat edhe mesfushori gjerman i Bayern Munich, Joshua Kimmich. Ai ka komentuar zërat që kanë qarkulluar se mund të lërë bavarezët për të luajtur pikërisht në Katalonjë sezonin tjetër.
“Nuk po mendoj për këtë, por kurrë nuk duhet të përjashtoni asgjë në jetë, as në futboll. Barcelona dhe Spanja si kombëtare patën një ndikim të madh tek unë si lojtar. Xavi Hernandez ishte modeli im si fëmijë. Gjithmonë i shikoja ndeshjet me Pep si trajner dhe tiki-taka ishin model”, tha Kimmich.
Më tej, mesfushori foli pozitivisht për trajnerin aktual të Barcelonës, Hansi Flick, me të cilin dikur ka punuar si te Bayern Munich ashtu edhe në kombëtaren gjermane: “Hansi krijoi një shpirt të madh në atë kohë. Ai na dha shumë besim si ne lojtarëve ashtu dhe njerëzve të tjerë rreth nesh”.
“Edhe në momente dyshimi, ai na ka mbështetur gjithmonë. Më pas luajtëm futboll spektakolar që të gjithë e donim. Krijuam një dinamikë të re, besuam në llojin e futbollit që po luanim. Kjo është ajo që e karakterizoi atë periudhë”, tha Kimmich. Kontrata e tij me Bayern skadon verën e ardhshme, ndaj mund të largohet si lojtar i lirë.