Mbrëmje për të mos u harruar, Yildiz ndryshoi rrjedhën e Inter-Juventus dhe hyri në historinë e “Derby d’Italia”

28 Tetor 2024
10:26
Alfred Lleshi
back button

Gjatë gjithë javës ishte folur për të, si një nga protagonistët e mundshëm të Inter-Juventus, por askush nuk kishte mundur ta imagjinonte një skenar të tillë.

Kenan Yildiz krijoi një rol kryesor për veten në “San Siro”, edhe pse e nisi supersfidën nga stoli. Turku e bëri këtë në derbin që do të mbetet në histori për të, por edhe si një nga derbet më të bukur italianë.

Një derbi italian i cili, ndryshe nga sa e parashikuan para tij, nuk e pa turkun në fushë që në fillim, por i mjaftuan 30 minuta lojë për të ndryshuar fatin e një ndeshjeje, që në fakt dukej tashmë e shkruar (ishte 4-2 për Interin, kur hyri në lojë, pastaj u mbull 4-4).

Thiago Motta vendosi të mos fokusohej te xhevahiri turk që në minutën e parë. Në fakt, Nicolò Fagioli startoi në formacionin titullar, me Weah dhe Conceiçao, të cilët u pozicionuan si anësorë të lartë për të mbështetur sulmuesin e vetëm Vlahovic.

Një zgjidhje që ishte hipotezuar nga shumëkush, edhe nëse prej ditësh gjithçka sugjeronte se Yildiz mund të kishte fanellë titullari.

Numri 10 i Juventusit hyri në fushë vetëm në minutën e 61-të si zëvendësim për Weah, kur Interi po kryesonte 4-2. Një zëvendësim që ndryshoi ndeshjen.

Kenan Yildiz, pavarësisht se e nisi ndeshjen nga stoli, jo vetëm rezultoi mes protagonistëve të mëdhenj të Inter-Juventus 4-4, por edhe e shkroi emrin në librin e historisë së asaj që ka qenë gjithmonë klasikja e madhe e futbollit italian.

Me vetëm 19 vite e 176 ditë mbi supe, ai u bë lojtari më i ri ndonjëherë që ka shënuar më shumë se një gol në një “Derby d’Italia” të Serie A.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit