PSG, kombëtarja italiane, Milani, Serie A dhe familja. Rrëfim ekskluziv për “Sportmediaset” i Gianluigi Donnarumma: “Ndihem mirë në Paris, tani edhe më mirë për shkak të lindjes së djalit tim. Ndihem si një nga liderët e ekipit, ëndërroj të fitoj Champions League. Kur mbërrita te PSG kishte një obsesion, fitimi i Ligës së Kampionëve, por nuk duhet të rëndojë shumë mbi ne.
Edhe fitimi i titullit të Ligue 1 do të jetë i vështirë këtë sezon, sepse e njoh mirë De Zerbi (trajnerin e Marseille). Sidoqoftë, edhe ne kemi gjithashtu një trajner të madh si Luis Enrique. Kam qenë shumë autokritik ndaj vetes, qysh kur u largova nga Italia. Jam paksa i kritikuar, por kam shpatulla të gjera dhe i mbaj ato”.
Gigio, si jeni?
Mirë, shumë mirë. Jam përshtatur mirë këtu në Paris. Është një periudhë shumë e bukur për mua me ardhjen në jetë të fëmijës së parë. Është një kohë shumë emocionuese dhe shumë e bukur.
Keni bërë debutimin tuaj në Serie A në një moshë shumë të re. Si ishte për ju që u rritët në qendër të vëmendjes?
Nuk ka qenë e lehtë. Në fillim kishte pak më shumë presion, por e rëndësishme është të qëndroni gjithmonë me këmbët në tokë dhe të mos kapeni nga euforia apo entuziazmi. Në futboll duhet të jeni gjithmonë i ekuilibruar. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Duhet të punosh edhe mendërisht, sepse nuk është e lehtë të jesh çdo ditë nën presion dhe të kesh përgjegjësi të mëdha.
Në moshën 25-vjeçare ju jeni tashmë një veteran. Çfarë mendoni se keni ende nevojë për t’u përmirësuar?
Mendimi im është se gjithmonë duhet të përmirësohem, në gjithçka. Nuk ka një gjë specifike. Çdo seancë stërvitore i vendos vetes një objektiv, vendos se në çfarë të fokusohem në atë seancë dhe përpiqem të përmirësohem. Nuk kam një pikë të saktë ku mund të përmirësohem, por gjithmonë përpiqem të shikoj 360 gradë.
Tani jeni lider i PSG-së, a e ndjeni këtë përgjegjësi?
Po, sepse për momentin jam nga të paktët që luaj këtu prej disa vitesh. Shumica janë pothuajse të gjithë djem të rinj, që sapo kanë ardhur. Pra, e ndiej përgjegjësinë për t’u transmetuar diçka të rinjve. Pastaj, për fat të mirë, kemi një kapiten (Marquinhos) i cili ka qenë këtu për shumë vite dhe na mban të gjithëve në linjë. Ai i ndihmon shumë lojtarët e rinj të rriten. Sigurisht që kam përgjegjësi, sepse ndihem i detyruar t’u jap diçka edhe djemve të rinj.
A ju rëndojnë kritikat që merrni herë pas here apo thjesht rrëshqasin mbi ju?
Në fakt, jam shumë autokritik ndaj vetes. Në fund të ndeshjes gjithmonë përpiqem të kuptoj se çfarë mund të bëja më mirë, çfarë mund të ishte bërë më shumë, ndoshta në një gol të pësuar. Në periudhën e fundit, që kur jam larguar nga Italia, kam qenë paksa shumë i shënjestruar nga kritikat, gjë që është pak e bezdisshme. Sidoqoftë, tani kam shpatulla të gjera, kam luajtur për shumë vite, kështu që e di se si funksionon dhe e di se çfarë duhet të bëj për të qëndruar në botën time.
Ne e njohim Luis Enrique dhe karrierën e tij, por edhe aspektin njerëzor, me historinë e tij personale. Çfarë ju jep çdo ditë një trajner i tillë?
Shumë, sepse nga pikëpamja njerëzore është fantastik, arrin të bëjë secilin prej nesh të shprehet më mirë, na mban të gjithëve në këmbë. Nuk e bën askënd të ndihet si një zgjedhje e dytë. Kjo është shumë e rëndësishme për grupin. Pastaj, nga pikëpamja futbollistike e njohim të gjithë, mendoj se është fenomen dhe po na jep shumë. Ne duhet të përpiqemi ta ndjekim sa më shumë që të jetë e mundur, nëse duam të arrijmë rezultate vërtet të rëndësishme.
Çfarë i mungon PSG-së për të fituar Ligën e Kampionëve? Kur mbërritët ju, më 2021, aty kishte më shumë kampionë, çfarë ju mungon aktualisht?
Mendoj se çdo vit ka shumë skuadra të organizuara dhe të forta, ndaj nuk është e lehtë ta fitosh Champions League. Për ta fituar duhet të jesh i mirë, të kesh edhe pak fat. Është një kompeticion kaq i bukur, me skuadra të forta, saqë kur luan një ndeshje në çerekfinale apo gjysmëfinale, shanset janë gjithmonë 50 me 50. Ne jemi një skuadër e fortë, po luftojmë ta fitojmë edhe Champions League. Kur mbërrita këtu gjeta një ekip të jashtëzakonshëm, ishte Leo (Messi), Kylian (Mbappé), Neymar. Personalisht mendoj se gjëja kryesore është grupi, por edhe kampionët e mëdhenj duhen për ta fituar një kompeticion si ky. I rëndësishëm është krijimi i grupit. Është një kompeticion i vështirë, por duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje.
A ka një lloj obsesioni te PSG me Ligën e Kampionëve?
Kur mbërrita, po, por nuk duhet të jetë kështu, nuk duhet të na rëndojë aq shumë. Kur luan Ligën e Kampionëve e kupton nga jashtë se ka një mjedis tjetër. Ne duhet ta përballojmë me qetësi dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshje, pastaj fusha do të tregojë se ku mund të arrijmë.
Të dielën u përballët me Marseille dhe fituat. A keni një mesazh për De Zerbin? A mendoni se do të mund t’jua heqë titullin?
Ky sezon do të jetë i vështirë, e njoh trajnerin De Zerbi. Patëm një bisedë pas ndeshjes, kam respekt të madh për të. Unë mund t’i uroj atij fat për pjesën tjetër të sezonit. Fatmirësisht na shkoi mirë, por Marseille është një skuadër që luan mirë, trajneri di të luajë shumë mirë. De Zerbi është një trajner i përgatitur, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm këtë sezon.
Një lojtar shumë i ri, që debutoi në moshën 15-vjeçare, tani luan te Milani. A keni ndonjë këshillë për Camarda?
E takova këtë vit kur luajtëm një ndeshje miqësore në Empoli, para Kampionatit Europian. Përshtypja e parë? Është një djalë i jashtëzakonshëm, si person e kam parë shumë modest. Shpresoj se mund të bëjë shumë mirë, veçanërisht te Milani mund të japë shumë. Është e rëndësishme t’i mbash këmbët në tokë në futboll, por ky nuk është problem për atë, sepse e pashë shumë të ekuilibruar. Ai duhet të rritet dhe gjithashtu të bëjë gabimet e tij. Ta lëmë të qetë dhe jam i sigurt se pastaj do të shkojë larg.
Cila është ëndrra futbollistike e Gigios për t’u realizuar ende?
Përveç trofeve individualë, që për mua janë një gjë dytësore dhe vijnë më vonë, ekipi është i rëndësishëm. Mundohem të jap gjithçka për ekipin, dua të fitoj sa më shumë. Një ditë, kush e di, ndoshta fitoj edhe Champions League. Pastaj do të ishte mirë për të gjithë italianët nëse do të fitonim sërish diçka të rëndësishme me kombëtaren.
A e shikoni Serie A dhe cili është favoriti për titullin, sipas jush?
I shikoj shpesh ndeshjet, këtë sezon konstatoj një kampionat të mirë. Mendoj se Napoli me Conten mund të bëjë shumë mirë, mund t’iu shkaktojë telashe të gjithë pretendentëve. Pastaj, pa Kupat e Europës, mendoj se ka më shumë shanse për ta fituar skudeton. Sidoqoftë, Serie A ka edhe Milan, Inter, Juve, kështu që mbetet për t’u parë. Do të jetë një kampionat i luftuar deri në fund.
Kapitulli i kombëtares… Keni qenë heroi i ‘Euro 2021’, i finales në ‘Wembley’. Çfarë ju mungoi në ‘Euro 2024’?
Mendoj se na mungoi energjia pozitive e grupit, që u krijua në Europianin e pararendës, të fituar prej nesh. Është për të ardhur keq, sepse kemi cilësi, kështu që mund të kishim bërë patjetër më mirë. Fatkeqësisht nuk shkoi mirë, dolëm pak keq në Europianin e kësaj vere. Gjëja e rëndësishme është t’ia fillonim përsëri. Në futboll është vështirë ta pësëritësh veten si kampion, duhet të jemi të qetë, të punojmë fort dhe ndjekim trajnerin. Po bëjmë një punë të jashtëzakonshme me Spallettin.
A keni një mesazh për tifozët axurr, duke qenë se Italia nuk është kualifikuar në dy edicionet e fundit të Botërorit?
Fatkeqësisht kam qenë dëshmitar i të dy edicioneve në fjalë, ku nuk jemi kualifikuar dot si kombëtare. Më duhet të them se janë gjëra të pashpjegueshme, si për të gjithë italianët. Italia duhet të jetë në Kupën e Botës dhe historia e mëson këtë. Mesazhi që mund të jap është se ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar atje, madje për të bërë shumë mirë në Botërorin e ardhshëm.
Ju keni luajtur shumë herë ‘San Siro’, flitet prej shumë vitesh për prishjen e tij, braktisjen e tij, ndërtimin e një stadiumi të ri. Cili është mendimi yt për këtë?
Unë mendoj se ‘San Siro’ është ‘San Siro’. Është normale që do të doja që ‘San Siro’ të mbetet shtëpia e Interit dhe Milanit, por unë nuk hyj në çështjet e korporatave apo politikës. Ky është mendimi im, pastaj nuk e di se çfarë do të bëhet në të ardhmen.
Gigio, një baba shumë i ri dhe bashkëshorti i ardhshëm. Çfarë emocionesh ndjeni?
Në planin personal është një moment i bukur. Po, jam shumë e emocionuar, kam një familje të mrekullueshme, po krijoj një familje të bukur, kam fatin të kem prindër që janë gjithmonë pranë meje, një të dashur që më qëndron gjithmonë pranë. Tani kam edhe një fëmijë, e dua marrëzisht. Pra, jam shumë i lumtur me atë që po krijoj. Më emocionon çdo ditë të jem me ta, duke i pasur pranë është një mbështetje e pabesueshme.
“Topi i Artë” u dha të hënën, ju kujt do t’ia kishit dhënë?
Me siguri, kush e ka fituar e ka merituar më shumë se kushdo, por unë jam një mik dhe fans shumë i mirë i Kylian (Mbappé). Shpresoj që një ditë të arrijë ta fitojë “Topin e Artë”. Ai ka bërë dhe vazhdon ta bëjë historinë e futbollit, kështu që shpresoj ta fitojë këtë trofe prestigjioz.