Portieri i Milanit, Mike Maignan, këmbëngul se nuk shqetësohet shumë nga kërcënimi i bashkëlojtarit të tij në kombëtaren franceze, Kylian Mbappe. Kjo ishte qasja e portierit kuqezi, në prag të përballjes me Real Madridin në Ligën e Kampionëve. Milani do të përballet me kampionët në fuqi të kontinentit në “Santiago Bernabeu”, të martën në mbrëmje, në kuadrin e xhiros së katërt të Champions League 2024-2025.
Maignan beson se Milani do të mbështetet te fryma e grupit dhe jo në taktika apo shkëlqimi individual kundër fituesve në fuqi të Ligës së Kampionëve, të drejtuar prej Carlo Ancelottit.
“Të kesh lojtarë me përvojë ndihmon, por ne duhet të luajmë me një shpirt grupi”, – tha Maignan në konferencën e tij për shtyp, para ndeshjes në “Bernabeu”.
Maignan u pyet për fillimin e Mbappes në Madrid dhe “kërcënimin” që ai mund të përbëjë kundër tij dhe Milanit: “Kjo nuk do të jetë një ndeshje e jona kundër Kylian, por ndaj Real Madridit. Ne gjithmonë flasim, është një lojtar cilësor, edhe pse po kalon një problem të vështirë për momentin. Nuk kam asnjë dyshim se ai do të bëjë mirë te Real Madridi”.
Megjithatë, Maignan nuk është shumë i shqetësuar nga “kërcënimi” që paraqet kapiteni i “gjelave”: “Futbolli gjithmonë sjell adrenalinë për mua. Jam entuziast, më pëlqen të luaj kundër të gjithëve, edhe më të mirëve në botë. Pra, për mua, gjëja më e mirë është të fitoj me shokët e skuadrës”.
Portieri francez pyetet edhe për hierarkinë që mund të ketë mes më të mirëve në rolin e tij: “Nëse nuk mendoj se jam më i miri, askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për mua. Personalisht mendoj se jam i pesti ndër portierët më të mirë në botë, por ende duhet të përmirësohem. Prioriteti im është ndeshja e radhës”.
Maignan u votua si portieri i pestë më i mirë në botë në ceremoninë e fundit të “Topit të Artë” në Paris. Ai përfundoi mbi Yann Sommer të Interit (i gjashti), dhe pas Emiliano Martinez, Unai Simon, Andriy Lunin dhe Gianluigi Donnarumma.