Anglia e ka filluar me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke mundur 4-2 Kroacinë, në një ndeshje të jashtëzakonshme, të luajtur në Texas.
“Tre Luanët” e drejtuar nga Thomas Tuchel e nisën vrullshëm takimin. Në minutën e 9-të, Luka Modric bën një gabim fatal dhe godet Noni Madueke brenda në zonë.
Arbitri kryesor i takimit, Clement Turpin, nuk ka dyshime dhe tregon gishtin nga pika e bardhë e penalltisë. Godet i zakonshmi Harry Kane, pret Dominik Livakovic.
Por penalltia ripërsëritet, pasi portieri kroat kishte dalë totalisht nga vija fundore. Godet sërish Kane dhe këtë herë topi përfundon në rrjetë.
Në minutën e 36-të erdhi goli i barazimit për kroatët. Pas një aksioni të shpejtë dhe një super asistit të Petar Susic, ishte Martin Baturina i cili dërgoi topin në rrjetë me një goditje spektakolare nga kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në minutën e 42-të, Anglia gjeti sërish avantazhin. Declan Rice kroson nga goditja e këndit, Harry Kane kërcen mbi kundërshtarët dhe shënon me kokë.
Goli i barazimit 2-2 erdhi në minutat shtesë. Një super pasim në zonë i Mario Pasalic, asiston Ivan Perisic dhe Petar Musa mposht Jordan Pickford.
Pjesa e dytë nisi, aty ku mbaroi e para, direkt me gol. Pas një pasimi të marrë nga Elliot Anderson, ishte Jude Bellingham, i cili pasi depërtoi bukur në zonë, poshti me një goditje të fortë Livakovic.
Në minutën e 49-të, Rice kroson si zakonisht nga këndi, Nico O’Reilly godet me kokë, por topi përfundon pak jashtë shtyllës së djathtë.
Në minutën e 52-të, Declan Rice provon të gjejë golin me një goditje klasi brenda zonës, por Livakovic është fantastik me pritjen e tij të radhës. Në minutën e 56-të, Anglia sërish pranë golit të katërt, me dy raste me O’Reilly dhe Gordon, por goditjet e tyre me kokë, ndalen nga Livakovic, i cili tregohet sërish i jashtëzakonshëm.
Në minutën e 57-të, Kane godet pranë zonës së penalltisë, Livakovic thotë sërish “jo”. Pas këtyre rasteve të njëpasnjëshme të Anglisë, bie disi ritmi i ndeshjes.
Në minutën e 76-të, Pasalic provoi të gjente golin e barazimit, por Pickford bën një super pritje.
Në minutën e 84-të, një aksion i shpejtë i anglezeve dhe një kombinim perfekt mes dy lojatrëve të futur si zëvendësues në pjesën e dytë, Anglia gjen golin e 4-të. Bukayo Saka asiston, Marcus Rashford shënon. Në minutat shtesë, Gvardiol ishte pranë golit të tretë për kroatët, por Harry Kane shndërrohet ndal goditjen e tij në fund, duke u shdnërruar në një mbrojtës të mirëfilltë.
Anglia fiton përfundimisht 4-2. Ndeshja tjetër e grupit L, mes Ghanës dhe Panamsë do të luhet pak pas mesnatës.







