Një tjetër surprizë e madhe në këtë Botëror, Portugalia e konsiferuar si një nga ekipet favorite, nuk ka shkuar dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj D.R Kongo, në ndeshjen e parë të grupit K.
“Luzitanët” e nisën shumë mirë takimin duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 6-të, ku pas një krosimi perfekt të Pedro Neto nga krahu, ishte shtatshkurtëri Joao Neves, i cili shënoi me kokë, duke dërguar topin në rrjetë.
Në minutën e 11-të, Kongo kishte një mundësi të mirë, por goditja e Yoane Wissa përfundon pak larg shtyllës së majtë. Minutat në vijim ishin të qeta dhe pa ndonjë rrezik konkret për të dy ekipet, por gjithçka ndryshoi në fund të pjesës së parë.
Në minutat shtesë, Kongo barazoi shifrat me Yoane Wissa, i cili shënoi me kokë, pas një krosimi në zonë që mori nga Arthur Masuaku. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Në minutën e 55-të, Joao Cancelo gjen golin, por anullohet për pozicion jashtë loje. Dy minuta më pas, Kongo ishte e pafat. Goditja e Cedric Bakambu përplaset në shtyllë.
Në minutën e 69-të dhe në minutën e 74-të, Cristiano Ronaldo humb dy raste të pastra shënimi. Në të dyja rastet, pasoi Francisco Conceicao.
Në minutën e 77-të, Kongo i afrohet sërish golit të avantazhit, por goditja e Noah Sadiki shkon pak jashtë shtyllës së majtë.
Në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë, Bruno Fernandes provon të gjejë golin nga distanca, por goditja e tij shkon ngjitur me shtyllën e djathtë. Sfida në Houston mbyllet 1-1.







