Gary Neville e shikon me frikë të tashmen e Manchester United, klub për të cilin ishte legjendë. Ai beson se Bruno Fernandes ka qenë nënshkrimi i vetëm i nivelit të lartë, që kur Sir Alex Ferguson u largua nga “Old Trafford” më 2013.
Ish-mbrojtësi i krahut nuk ka dyshim se Rúben Amorim do të ketë një detyrë shumë të komplikuar për t’i rikthyer “Djajtë e Kuq” në rrugën e duhur. “Ai duhet të nxjerrë më të mirën nga lojtarët, këta të fundit duhet të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në 10 vitet e fundit.
Klubi nënshkroi me shumë lojtarë, që kuotoheshin shumë në merkato, por kur arritën te Manchester United nuk performuan siç pritej. Pse? Mund të jetë faji i trajnerëve, vetë lojtarëve apo mjedisit, por çfarëdo që të jetë, Amorim do të duhet ta ndryshojë atë, përndryshe do të përfundojë si paraardhësit e tij”, – shpjegoi Neville për “Sky Sports UK”.
Më pas ai lavdëroi Bruno Fernandes: “Ka pasur trajnerë që kanë provuar dhe kanë fituar diçka, lojtarë me potencial të madh që menduam se do të ishin nënshkrime të mira. Me sa di unë, në 10 vitet e fundit vetëm Bruno Fernandes ka bërë më shumë nga sa prisja. Nuk më kujtohet një lojtar tjetër që i ka justifikuar shumë milionat e shpenzuar për të në 10 vite”.