Nëse ka një gjë që theksoi humbja në shtëpi kundër Milanit për Real Madridin e Carlo Ancelottit, është nevoja për përforcime të reja në mbrojtje. Veçanërisht në krahun e djathtë ku, me dëmtimin e rëndë të Dani Carvajal, vetëm Lucas Vazquez mbeti në dispozicion.
Për këtë arsye, “Los Blancos” kanë vendosur të përshpejtojnë negociatat me Trent Alexander-Arnold, anësorin anglez të cilit i skadon kontrata qershorin e ardhshëm me Liverpool-in. Megjithatë, sipas asaj që raportohet nga “Marca”, për momentin, “Reds” nuk janë të hapur për lamtumirën e hershme të asnjë prej lojtarëve, të cilëve iu skadon kontrata (dy të tjerët janë Salah dhe Van Dijk).
Arne Slot, trajneri që mori përsipër trashëgiminë e rëndë të Jurgen Klopp në “Anfield” korrikun e kaluar, tha se ishte shumë i kënaqur me skuadrën aktuale, duke përfshirë ata që po shkojnë drejt skadimit të kontratave të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Federico Chiesa, ish-lojtar i Juventusit dhe ende lojtar misterioz i kursit të ri të “Reds”.