Një nga zbulimet e këtij sezoni në Serie A është mbrojtësi i Juventus, Nicolo Savona, që në 10 ndeshje ka realizuar dy gola. Aq sa të meritojë edhe grumbullimin për herë të parë në ekipin kombëtar.
21-vjeçari bardhezi, duke folur për objektivat e këtij sezoni, u shpreh: “Objektivi i Juventus është të ngjitet sa më lart në renditje. Ne punojmë për këtë. Por, tani për tani, mendimet e mia janë vetëm për ekipin kombëtar”.
Ai po stërvitet për herë të parë me kombëtaren italiane në kuadër të dy ndeshjeve të radhës në Nations League (të enjten ndaj Belgjikës dhe të dielën ndaj Francës).
Duke folur më tej për paraqitjen e tij me Juventus, Nicolo Savona shton: “Trajneri flet shumë dhe fokusohet në qëndrimin e secilit individ. Ai dëshiron të na shohë të lumtur dhe të qetë. Deri më tani gjërat janë mirë dhe duket sikur jam në ëndërr.
“Ne jemi një ekip shumë i ri dhe i fortë, ndaj trajneri po më jep një shumë hapësira dhe do të përpiqem t’ia kthej. Unë përpiqem të jap më të mirë sa herë që zbres në fushë dhe jam i lumtur për dy golat në kampionat”, tha Savona, që është aktivizuar edhe në Champions League (3 ndeshje).