Arbër Hoxha i dha një shkëndijë tjetër lojës së kuqezinjve, me futjen në fushë si zëvendësues, në pjesën e dytë. Inkursionet e tij në krahun e majtë të sulmit ishin çoroditëse për kundërshtarin. Kishte ndonjë “fikje” gjithsesi, por një pjesë loje është element i çmuar për kombëtaren shqiptare.
Duke folur pas disfatës 2-1 ndaj Ukrainës, djaloshi i ri nënvizoi mes të tjerash: “Të gjithë lojtarët e stolit futemi 100% të karikuar, sepse edhe trajneri na motivon. Morali i lojtarëve ishte poshtë, pasi pësuam dy gola që në fillim të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë u futëm për ta kthyer lojën, shënuam me penallti, krijuam raste, por nuk erdhi goli i barazimit. Sa herë të futem në lojë me kombëtaren, do të jap maksimumin tim. Këtu përfaqësojmë kombin, ndaj nuk kursejmë asgjë. Shpresoj të kemi rezultate pozitive në sfidat që na presin përpara”.