Mohamed Salah ka shprehur hapur zhgënjimin e tij lidhur me situatën kontraktuale te Liverpool-i. Sulmuesi egjiptian, i cili ka qenë një ikonë e klubit për shumë vite, ka kontratë që i skadon më 30 qershor, teksa pasiguria rreth së ardhmes së tij po rritet.
Në një deklaratë të raportuar nga “Liverpool Echo”, Salah tha: “Jemi pothuajse në dhjetor dhe ende nuk kam marrë asnjë ofertë për rinovim. Ndoshta jam më pranë largimit sesa qëndrimit… Kam qenë këtu për shumë vite dhe nuk ka klub si ky, por çështja nuk është plotësisht në duart e mia.
Siç thashë, jemi afër dhjetorit dhe nuk kam dëgjuar ende asgjë për të ardhmen time. I dua tifozët dhe ata më duan mua, por nuk vendosim ne. Tani për tani po presim, le të shohim. Sigurisht, është zhgënjyese të mos kem marrë ende një ofertë”.
Salah gjithashtu shtoi: “Për momentin, jam i fokusuar te loja. Këtë sezon synojmë të fitojmë Premier League dhe, shpresojmë, Champions League. Jam i zhgënjyer për mungesën e rinovimit, por do të shohim.
Jam profesionist, të gjithë mund ta shohin etikën time të punës. Dua të vazhdoj në nivelet më të larta, sa më gjatë të jetë e mundur. Do të jap më të mirën, sepse kjo është mënyra se si funksionoj unë. Pastaj, do të shohim se çfarë mund të ndodhë”.
Kur u pyet për mundësinë e transferimit në Arabinë Saudite, Salah u përgjigj shkurt: “Nuk dua të flas për këtë tani. Jam i fokusuar vetëm te skuadra”.
Kjo situatë ka ndezur spekulime mbi të ardhmen e Salah, ndërsa tifozët e Liverpool-it shpresojnë që një marrëveshje të arrihet për të vazhduar historinë e tij të suksesshme me klubin.