“Kam filluar të kem disa dyshime për kandidaturën e Milanit për titullin e Serie A…” Kështu u shpreh Massimo Ambrosini në “Radio Serie A”, lidhur me mundësitë e Milanit të drejtuar nga Fonseca për të fituar titullin. Këtë dyshim e ka krijuar pas 13 javëve kampionat.
“A është Atalanta për titull? Po. Natyrisht, por nëse do ta fitonte, do të ishte një surprizë, sepse në fillim të sezonit isha shumë skeptik. Pas dy javësh është Atalanta-Milan, një test i rëndësishëm. Nëse vazhdon kështu, Atalanta do të ishte gjithsesi një surprizë. Midis konkurrimit dhe fitimit ka një diferencë më të madhe sesa midis arritjes në vendin e shtatë apo të tretë. Midis vendit të shtatë dhe të tretë ka një shkallë, ndërsa midis vendit të dytë dhe të parë shumë më tepër”.
Pas ndeshjes së barazuar 0-0 kundër Juventusit, kjo ishte analiza e Paulo Fonseca: “Mendoj se ishim mirë në mbrojtje. Nuk duhet ta harrojmë që kjo skuadër, Juventusi, shënoi 4 gola kundër Interit këtu. Skuadra jonë është përmirësuar në mbrojtje, edhe sepse Juventusi nuk mori shumë rreziqe, por mendoj se bëmë mirë në mbrojtje. Problemi ishte sulmi.
Nuk është e lehtë të krijosh situata kundër një skuadre si Juventusi, që pëson më pak gola dhe iu jep më pak raste kundërshtarëve. Mendoj se në sulm kemi marrë pothuajse gjithmonë vendimet e gabuara. Gjithashtu, nuk morëm rreziqe në sulm, veçanërisht në metrat e fundit, ku mund të rrezikonim”.