Ndeshja e parë e Ruben Amorimit i dha trajnerit portugez dimensionin ku eshte futur dhe ai tha se “do te duhet te vuajme jo pak ne kohe per te arritur aty ku duam”. Ishte barazimi i parë dhe tashmë po flitet për përforcime rreth Manchester United.
Padurimi që mbretëron në “Old Trafford” ka filluar të prekë trajnerin portugez, debutimi i të cilit u prit me shumë shpresë dhe që përfundoi me një rezultat jo të favorshëm ndaj Ipswich Town.
Pas fillimit të hidhur, kanë nisur zërat se ‘Djajtë e Kuq’ po mendojnë për nënshkrime për të kënaqur portugezin. Nga Portugalia bëjnë me dije se i dëshiruari do të ishte Geovany Quenda i Sporting Lisbonës që Amorim drejtonte deri pak javë më parë .
Futbollisti i lindur në 2007 në Guinea-Bissau është një nga sensacionet e sezonit dhe, duke qenë në të njëjtën moshë me Lamine Yamal, ai po shfaqet si një nga pjesët kyçe të skuadrës me të cilën Europa po dashurohet.
Ai së bashku me Viktor Gyokeres është më i dëshiruari i Sporting nga klubet evropiane. Çmimet për futbollistët e rinj po rriten dhe Quenda, i cili ka luajtur më pak se 20 ndeshje në futbollin profesionist, flitet se ka një çmim rreth 60 milionë euro më shumë bonuse që anglezët mund të ofrojnë për të marrë shërbimet e tij.
Portugezi ka një kontratë deri në vitin 2027 dhe një klauzolë afër 100 milionë euro, kështu që nëse ndonjë klub tjetër përveç Man United dëshiron ta nënshkruajë atë do të duhet të vendosë një shumë të mirë në tavolinë.