E ardhmja e Kevin de Bruyne mbetet totalisht e pasigurtë. Mesfushori belg deklaroi se për momentin nuk ka pasur negociata me Manchester City për nënshkrimin e një kontrate të re dhe pranoi se ky mund të jetë viti i tij i fundit te “citizens”:
“Sinqerisht nuk e di se çfarë do të ndodhë. Në fillim të sezonit e dija se do të kishte bisedime, por më pas ndodhi dëmtimi. Duhej të kalonin disa ditë, por në vend të kësaj përfundoi tetë ose nëntë javë pushim. I lashë të gjitha mënjanë”, tha De Bruyne.
Më tej, mesfushori shtoi: “Unë nuk jam shumë i shqetësuar. Jam mirë, jam i lumtur, thjesht dua të rikthehem duke luajtur futboll të mirë dhe më pas do të shohim e vendosim për të ardhmen. Deri më tani nuk ka asnjë bisedim”.
“Nëse nuk ka negociata, ky do të jetë viti im i fundit në klub, por nuk e di. Kam pasur një bisedë në verë, por pas dëmtimit nuk kam qenë në gjendjen e duhur mendore për të folur për këtë. Më duhet të kthehem në fushë dhe të jem përsëri vetvetja”, shtoi De Bruyne.
“Nuk ka pse nxitohemi, nuk jam i shqetësuar. Rinovimi i Guardiola mund të ndihmojë. Ndoshta do të ishte e dobishme të kisha një bisedë me Pep për të folur për të ardhmen time. Ka një mirëkuptim, e di se si funksionon ai”, tha mesfushori belg.