Tek Arsenal, pas zhgënjimit në finalen e Champions League, duhet të kënaqen vetëm me trofeun e Premier League. “Dëshironim dy trofe, por edhe fitimi i titullit kampion pas 22 vitesh është një arritje e madhe”, tha David Raya.
Portieri spanjoll ishte një nga protagonistët e “topçinjve” në këtë rrugëtim, duke fituar “Dorezën e Artë” për të tretin vit me radhë. “Mendoj se nuk jam vetëm unë që e meritoj këtë çmim, por i gjithë ekipi. Është çmenduri të mendosh se e fituam Dorezën e Artë tre herë radhazi”, tha spanjolli.
Raya nuk dëshiron të ndalet këtu: “Shpresoj se do ta fitojmë të katërtin. I besoj çdo lojtari. Ata ma bëjnë jetën shumë më të lehtë. Sigurisht, duhet të jem aty për ekipin, si gjithmonë. Dhe mendoj se këtë sezon kemi arritur shumë gjëra”.






