Nuk është me siguri një moment i mirë në historinë e “Los Blancos”. Si të mos mjaftonin rezultatet zhgënjyese në fushë, ja edhe një telash i pakëndshëm. Për fat të mirë, pa pasoja serioze.
Autobusi i klubit spanjoll, duke u kthyer nga Liverpool-i, pas ndeshjes së Champions League, u përfshi në aksident, duke u pëplasur me një kamion.
Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por mjeti ka mbetur i ndaluar në autostradë për të kryer hetimet përkatëse.
Lajmi është raportuar nga “Daily Mail”, që ka treguar me foto autobusin e Real Madridit të ndaluar në autostradë, pas përplasjes me një kamion, gjatë rrugës për në aeroport.
Një prej dritave të autobusit është dëmtuar dhe autoritetet duhet të përcaktojnë saktësisht dinamikën e ngjarjes.
Në autobusin e përfshirë në aksident nuk ndodhej ekipi, por me shumë gjasa disa anëtarë të stafit teknik.
Në çdo rast, për fat të mirë, askush nga pasagjerët nuk është lënduar dhe as shoferi nuk ka pësuar ndonjë pasojë.