Portieri i Arsenal, David Raya, ka zbuluar për mediat britanike se ende nuk i është ofruar një kontratë e re nga klubi londinez, ku shkëlqeu këtë sezon. Portieri spanjoll, i cili fitoi “dorezën e artë” këtë sezon në Premier League, luan në formë huazimi me “topçinjtë”.
David Raya është në pronësi të Brentford, ndërkohë që Arsenal ka një klauzolë prej 27 milionë stërlinash për ta blerë atë përgjithmonë. Por, të paktën për momentin, skuadra e Arsenal nuk ka vendosur nëse do ta shpenzojë atë shumë apo jo.
“Nuk dua të mendoj shumë për të ardhmen, pasi në këtë rast asgjë nuk varet nga unë. Varet nga klubi dhe Mikel Arteta. Nëse paraqitjet e mia kanë qenë mjaft të mira, shpresoj se ata do të më ofrojnë një kontratë”, tha David Raya.
Spanjolli, 28 vjeç, e mbrojti portën pa pësuar gol në 16 ndeshje këtë sezon, duke treguar mjaft aftësi. Arsenal ka kohë deri më 30 qershor për të vendosur nëse do ta mbajë portierin, por klubi ndërkohë po kërkon një portier të ri në merkato.







