Manchester City përgatitet për një tjetër sfidë delikate në Premier League. Kampionët e trajnerit Pep Guardiola do të luajnë të mërkurën ndaj Nottingham Forest, skuadra që është surpriza e këtij sezoni. Trajneri spanjoll, duke komentuar këtë sfidë dhe të ardhmen qëndron me këmbë në tokë.
“Ne nuk mund të mendojmë për rezultatet që kemi pasur në të kaluarën dhe të mendojmë për objektivat e mëdha në të ardhmen, si është fitimi i titullit të Premier League. Ky do të ishte një gabim i madh në këto momente. Objektivi do të jetë fitorja në ndeshjen e radhës”, tha Guardiola.
Më tej, trajneri spanjoll shtoi: “Ne duhet të përpiqemi të mposhtim një ekip që është afër nesh, të fitojmë dhe të jemi afër katërshes së parë. Do të përpiqemi të fitojmë ndeshje pas ndeshje sepse kjo është ajo që duhet të përpiqesh të bësh nëse dëshiron të fitosh trofe”.
“Nuk jemi larg me vendin e dytë, por është gjithmonë mënyra se si luan dhe sa i qëndrueshëm je ajo që vendos. Liverpool ka qenë i mrekullueshëm dhe nuk mund të luftosh kundër kësaj situate. Ne duhet të gjejmë fillimisht ritmin dhe hap pas hapi të ecim përpara”, shtoi Pep Guardiola.
Duke komentuar rezultatet e fundit, ai komentoi: “Nuk kam asnjë keqardhje me veten. Thjesht duhet ta pranojmë situatën. Unë e di se çfarë është kjo botë dhe si funksionon. E di se çfarë kemi bërë në karrierën time së bashku me shumë lojtarë, shumë klube, ndaj mund ta përballoj këtë situatë. Të gjithë jemi të gatshëm të japim gjithçka për të ndryshuar dinamikën”.