Manchester City pësoi një humbje turpëruese në shtëpi, 1-2 ndaj Manchester United. Një humbje që erdhi në 5 minutat e fundit, kur “djajtë e kuq” realizuan dy gola për pakujdesi të kampionëve të Anglisë.
Mesfushori Bernardo Silva e ka konsideruar si të turpshme këtë humbje: “Ne e merituam atë që ndodhi. Në këtë nivel një ose dy ndeshje janë të pafat, por këtë herë nuk mund të themi se ishte me fat apo pa fat: në 10 ndeshje nuk bëhet fjalë për këtë”.
“Në minutën e 87 të një derbi, kur fitojmë 1-0 dhe nga një goditje këndi për ne aksioni përfundon me penallti për rivalët tanë… Nëse marrim këto vendime budallaqe me tre apo katër minuta nga fundi e meritojmë humbjen. Edhe pse e meritonim fitoren, në fund humbëm”, tha Silva.
Portugezi analizon periudhën kritike të ekipit të tij: “Nuk është vetëm një ndeshje, por shumë ndeshje së fundmi. Duhet të shikojmë brenda vetes. Mund të thoni se ishim paksa të pafat, por jo. Janë vendimet që merrni në minutën e fundit”.
“Nuk duam që kjo të ndodhë sërish. Është pak zhgënjyese, sepse nëse shikoni lojën deri në minutën e 86-të, ishte vetëm një ekip që mund ta fitonte ndeshjen. Më pas, nga një goditje këndi për ne e gjejmë veten me topin te portieri ynë. Nuk ka asnjë justifikim për këtë”, tha Bernardo Silva.
“Kemi luajtur si një ekip 15-vjeçarësh në ato minuta. Është normale që nuk jemi shumë të lumtur për momentin. Jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për muajin e fundit. Ne duhet të bëjmë më mirë individualisht dhe kolektivisht sepse nuk janë standardet e Manchester City”, përfundoi portugezi.