Nga data 1 janar, në Angli do të nisë epoka e Thomas Tuchel, i cili do të marrë për herë të parë rolin e trajnerit të kombëtares. Trajneri gjerman, i shpallur prej kohësh si pasardhës i të përkohshmit Lee Carsley, e ka lejuar këtë të fundit ta përfundojë fushatën e “Nations League” dhe do të fillojë zyrtarisht punën në vitin e ri.
Të premten e kaluar, Tuchel bëri paraqitjen e tij të parë publike gjatë shortit për fazën kualifikuese të Kupës së Botës 2026, ndërsa tani ka dhënë edhe deklaratat e para. Tuchel foli për “Sky Sports UK”, duke nisur nga skepticizmi që shoqëroi emërimin e tij:
“Është e qartë që reagimet janë gjithmonë të përziera, por tani duhet t’i tregoj vetes dhe atyre që janë ndoshta pak skeptikë se sa shumë e dua këtë punë, që për mua është një ëndërr, ndaj do të jap gjithçka. Duhet të tregoj gjithashtu se jam njeriu i duhur për këtë detyrë”.
Trajneri i ri u ndal edhe te disa nga lojtarët që mund të thirren në kombëtaren angleze: “Kane është një kapiten i madh. Do të kontaktoj gjithashtu edhe Ben White. Do të jetë një fillim i pastër dhe do të përpiqem të ndërtoj një rrëfim të qartë”.