Mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, ka zhvilluar bisedime që konsiderohen pozitive për një zgjatje të kontratës. Kontrata e 31-vjeçarit skadon në fund të sezonit, por klubi ka një opsion për ta shtyrë edhe për 12 muaj të tjerë.
Anglezi konfirmoi se bisedimet po vazhdojnë: “Nuk kam menduar realisht për të ardhmen. Kam ende kohë deri në fund të sezonit për të nënshkruar një kontratë të re këtu, me një opsion në duart e klubit ku luaj”.
“Gjithsesi, të gjitha shenjat janë pozitive për momentin”, tha Maguire, që duket se po shijon një rilindje nën drejtimin e trajnerit të ri Ruben Amorim, pasi luajti në fitoren e United në derbin ndaj City të dielën.
Amorim e etiketoi qendërmbrojtësin si “perfekt” pas fitores dramatike: “Maguire është perfekt kur luan me tre mbrojtësit. Unë mendoj se në mes ai është perfekt. Kur rivalët luajnë me topat e gjatë ai është i përkryer, është i fortë”.