“Një gjest i izoluar nuk e fshin të kaluarën, te ne ke qenë gjithmonë i respektuar. Juventus, DV9 dhe ultrasit të bashkuar deri në fund”. Me këtë pankartë, tifozët e Juventusit shprehën mbështetjen e tyre për Dusan Vlahovic përpara ndeshjes së Kupës së Italisë ndaj Cagliarit, pas ngjarjeve të së shtunës së kaluar dhe hetimeve nga “Digos”.
Për të ardhmen e sulmuesit serb foli edhe Cristiano Giuntoli për mikrofonët e “Sportmediaset”: “Marrëdhëniet me lojtarin dhe agjentin e tij janë të shkëlqyera, do të takohemi pas merkatos. Kemi gjithë kohën e duhur për t’i rregulluar gjërat dhe vazhduar së bashku në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Sa afrime do të bëjë Juventusi në mbrojtje në janar: “Do të fillojmë me një. Jorge Mendes e përshëndeta, por nuk folëm për merkaton. Në janar, të gjitha klubet i zbulojnë planet e merkatos, pasi ndeshjet janë në zhvillim”.
Ditët e fundit, agjenti i njohur portugez ka qenë në Torino, ndërsa spekulohet për interesimin e Juventusit për mbrojtësin Antonio Silva të Benfikës. Gjithashtu, me Mendes duhet diskutuar për të ardhmen e Conceiçao, një nga lojtarët kyç të Juventusit të drejtuar nga Thiago Motta.
Giuntoli komentoi gjithashtu sezonin e Juventusit mes Serie A dhe Ligës së Kampionëve: “Kemi luajtur shumë ndeshje me pak alternativa, kjo na ka penalizuar. Po vazhdojmë të bashkuar dhe e ardhmja do të na sjellë shumë kënaqësi.
Dëmtimet kanë ngadalësuar një rritje të jashtëzakonshme fillestare, duke na shkaktuar ulje-ngritje. Fatkeqësisht, mungesa e një rotacioni të plotë na ka krijuar disa vështirësi. Tani presim rikthimin e Milik dhe duhet të zëvendësojmë një ose dy situata shumë të rëndësishme”.