Emergjencë në mbrojtje për Interin para ndeshjes së kampionatit në “San Siro”, kundër Como-s. Stefan De Vrij dhe Matteo Darmian nuk janë në formën më të mirë, të dy me probleme në gju. Holandezi ka pësuar një goditje gjatë stërvitjes, ndërsa italiani ende e ka gjurin të enjtur, pas një kontakti në ndeshjen kundër Udineses.
Trajneri Simone Inzaghi, i cili ka eksperimentuar me repartin mbrojtës, ku Bastoni ishte në qendër me Bisseck dhe Carlos Augusto në krahë, do të vendosë vetëm në momentin e fundit nëse do t’i grumbullojë De Vrij dhe Darmian.
Lajmet e mira vijnë nga Barella, i cili është stërvitur me shokët e skuadrës dhe mund të luajë si titullar. Është garë mes tij dhe Frattesi për një vend në mesfushë, përkrah Calhanoglu dhe Mkhitaryan, ndërsa Dumfries dhe Dimarco do të veprojnë në krahë. Në sulm, çifti Lautaro-Thuram. Trajneri zikaltër u shpreh në konferencën për shtyp:
Fabregas tha që Como nuk dëshiron të ndryshojë stilin e lojës. Çfarë ndeshjeje prisni?
Ne i dimë vështirësitë me të cilat do të përballemi në këtë ndeshje. Como është një skuadër shumë e mirë, gjithmonë ka treguar organizim të shkëlqyer. Është një përzierje lojtarësh me përvojë dhe të rinj me cilësi të mëdha. Ata fituan kampionatin e Serie B dhe tani po tregojnë cilësitë e tyre edhe në Serie A. Do të jetë një ndeshje e komplikuar.
A është një përforcim për mbrojtjen i mundshëm në janar?
Jemi në një moment me mungesa, na mungojnë Pavard dhe Acerbi. Në stërvitjen e fundit, edhe De Vrij e Darmian patën disa probleme. Të hënën në mëngjes do të vlerësojmë me stafin mjekësor nëse janë në gjendje të rikuperohen për ndeshjen. Aktualisht, nuk duken gati, por kemi pak shpresa dhe do t’iu kërkojmë ndonjë sakrificë. Momentalisht kemi katër mbrojtës. Për sa i përket merkatos, shpresojmë të rikthehen sa më shpejt Acerbi dhe Pavard.
A e ndjeni veten të nënvlerësuar, ashtu siç tha Lautaro së fundi?
Kjo është çështje opinioni. Unë mund të them vetëm që ndihem mirë, ndihem i vlerësuar nga klubi im dhe nga grupi i lojtarëve. Kjo më ndihmon të jap maksimumin. 2024-a ka qenë një vit i rëndësishëm për ne, me yllin e dytë që e kemi fituar bashkë me tifozët dhe skuadrën. Ka qenë një vit për t’u mbajtur mend.
Çfarë zhvillimi prisni për 2025-ën?
Duhet gjithmonë të punojmë për t’u përmirësuar. Kampionati është shumë konkurrues, të gjitha skuadrat po vrapojnë. Do të na duhet të bëjmë një hap të mëtejshëm. Ky sezon nuk do të jetë si ai i kaluari, do të jetë një betejë e vërtetë.
Në lidhje me rinovimin, a mendoni të qëndroni për shumë vite në këtë skuadër?
Ky është qëllimi. Kur ndihem i vlerësuar dhe mirë në një klub, me ekipin dhe stafin, ndihem shumë i kënaqur. Synimi është të qëndroj gjatë, por e dimë që në futboll gjithçka ndryshon shpejt. Megjithatë, kemi treguar se jemi një ekip i vërtetë, që nuk është dorëzuar asnjëherë dhe ka vazhduar përpara.
Ka filluar një periudhë intensive 2-mujore. A keni bërë një përgatitje specifike?
Ka qenë një tur force deri tani. Fatkeqësisht, kemi pasur disa shtyrje ndeshjesh si ajo me Fiorentinën. Megjithëse kemi bërë rotacione në mesfushë dhe sulm, nuk kemi mundur ta bëjmë këtë në mbrojtje. Shpresojmë që lojtarët që mungojnë aktualisht të rikthehen për të na ndihmuar.
A mund të luajë Barella titullar?
Është stërvitur mirë dy ditët e fundit. Do t’i shohim të gjitha të dhënat dhe do të vendos të hënën në mëngjes. Më duket në formë të mirë.
Merkatoja e qershorit dhe çfarë prisni prej saj?
Tregu mund të jetë i ndryshëm, me disa të rinj më shumë. Nuk kam asnjë paragjykim, as ndaj të rinjve, as ndaj lojtarëve më të mëdhenj në moshë. E dimë që po shkohet drejt blerjes së më shumë lojtarëve të rinj. Nëse janë cilësorë dhe e ndihmojnë Interin t’i fitojë ndeshjet, unë do të jem i pari që do t’i mirëpres.
Urimet për Steven Zhang dhe ndryshimet në klub…
Me Steven kemi folur. Menaxhimi i klubit ka ndryshuar, por drejtuesit janë të njëjtët, po vazhdojmë në të njëjtin drejtim. Oaktree është po aq pranë nesh sa ishte Zhang, pronësia e re është e kënaqur me nivelet që ka arritur Interi. Detyra jonë është ta mbajmë Interin në nivele të larta.