Erik ten Hag, trajneri i Manchester United, foli në një konferencë për shtyp një ditë para finales së FA Cup kundër Manchester City. një sfidë vendimtare për “djajtë e kuq”, që kërkojnë një trofe në këtë sezon thuajse të dështuar, që do t’i hapte dyert për në Europë sezonin tjetër.
“Finale e rëndësishme, pasi luhet për një nga trofetë më të rëndësishëm sezonale. Ne kemi mundësi për ta fituar një trofe në këtë sezon të vështirë. Në 10 vitet e fundit ky klub nuk ka fituar shumë trofe, por ne kemi mundësi të fitojmë FA Cup dy vite radhazi”, tha Ten Hag.
Duke folur për pritshmërinë në këtë finale, trajneri holandez shtoi: “Dua të fitoj çdo ndeshje dhe kaq. Unë fokusohem në këtë ndeshje si në çdo ndeshje. E di që është një ndeshje e rëndësishme sepse ka të bëjë me një trofe. Finalja e FA Cup është një ngjarje e madhe dhe ne jemi atje edhe nëse sezoni nuk ka shkuar ashtu siç shpresonim”.
“Kemi një mundësi dhe nuk ka për të qenë e lehtë. Ne duhet të besojmë në veten tonë siç bëmë sezonin e kaluar dhe siç bëmë shpesh kundër kundërshtarëve të mirë, ne mund luajmë futbollin tonë më të mirë dhe e pres këtë gjë të shtunën”, u shpreh më tej Erik ten Hag.
Ai tha se do të ketë disa mungesa për ekipin e tij: “Maguire nuk do të jetë në ndeshje, lëndimi nuk ka ecur siç pritej. Të tjerët, përkatësisht Mount, Lindelof dhe Martial do të jenë në dispozicion. Sot do të kemi seancën e fundit stërvitore dhe do të marrim vendimet përfundimtare, por siç e shoh tani ata janë mirë”.