Kylian Mbappé ka folur për momentet e vështira që ka kaluar pas humbjes së penalltisë kundër Athletic Bilbao, duke e përshkruar atë si periudhën kur ka ndjerë se kishte prekun “fundin e botës”. Pas largimit nga PSG, ku ishte shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, kalimi te Real Madridi ka pasur vështirësi, përfshirë disa probleme me lëndimet në gjunjë dhe kofshë, që e kanë ngadalësuar integrimin e tij në “Bernabeu”.
Megjithatë, pas humbjes së dy penalltive brenda një jave, sidomos në disfatën 2-1 në Bilbao, ylli francez ka arritur të shënojë 4 gola në të gjitha kompeticionet, përfshirë golin hapës të fitores së Real Madridit në La Liga, kundër Sevilla (4-2). Ai tha për “Real Madrid TV”: “Mora goditje shumë të rëndë nga ndeshja e Bilbaos. M’u duk se preka fundin e botës, ngaqë humba edhe një penallti. Në atë moment kuptova se duhet të jepja gjithçka për këtë fanellë dhe të luaja me personalitet”.
Tani, Mbappé ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje të La Liga-s dhe e ka ndihmuar Real Madridin të mbylla vitin kalendarik në vendin e dytë të kampionatit, vetëm një pikë pas liderëve të Atletico Madridit: “Mund të shënoj shumë më tepër, e di që kam shumë për të dhënë. Në ndeshjet e fundit kam luajtur më mirë”.
Mbappé shtoi se tani e ndien veten më të lidhur me ekipin dhe se periudha e aklimatizimit ka përfunduar: “Tani e njoh më mirë ekipin dhe kjo ka ndryshuar shumë gjëra. Siç thotë trajneri, periudha e aklimatizimit tim ka mbaruar. Ndihem shumë komod në ekip dhe luaj më mirë me të tjerët në fushë”.
Ndeshja e ardhshme për Real Madridin do të jetë ndaj Valencias në La Liga, më 3 janar.