Skuadrat shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë kualifikues të “Conference League”, nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin nga ndeshjet e raundit të parë.
Vllaznia, në rast se eliminon Malishevën, do të përballet me skuadrën skoceze Hibernian FC në raundin e dytë të kompeticionit.
AF Elbasani, nëse kalon BATE Borisov, do të luajë ndaj ekipit zviceran FC Sion. Ndërkohë, Dinamo City, në rast se eliminon Astanën, do të përballet me fituesin e çiftit FC Sheriff – NK Aluminij.
Sakaq, Egnatia, nëse nuk arrin të kalojë Petrocubin në raundin e parë kualifikues të “Champions League”, do ta vazhdojë rrugëtimin europian në raundin e dytë të “Conference League”. Në këtë skenar, kampionët e Shqipërisë do të përballeshin me humbësin e çiftit FK Borac Banja Luka – PFC Levski Sofia.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të “Conference League” do të zhvillohen më 23 dhe 30 korrik.







