Piloti spanjoll Fernando Alonso e mbylli sezonin me një fashë të dukshme në shpatull, duke u ankuar më shumë për performancën e tij se sa për pasojat fizike të shkaktuara nga drejtimi i një Aston Martin aspak i shpejtë. Megjithatë, në moshën 43-vjeçare, Fernando Alonso nuk ndalet kurrë së ëndërruari për titullin e tretë kampion bote për pilotë në Formula 1.
Sidomos tani që ardhja e Adrian Newey është zyrtare në skuadrën me bazë në Silverstone. Për pasojë, makina angleze synon mundësinë për të luftuar për titullin që në sezonin 2026, kur piloti spanjoll do të jetë 45 vjeç dhe ai, zyrtarisht do të jetë në vitin e fundit të kontratës së tij.
“Unë ende ëndërroj titullin e tretë për pilotë në F1. Pse nuk duhet? E di që viti 2026 mund të jetë shansi im i fundit, duke qenë se sezonin tjetër do të jetë shumë i vështirë. Por unë ende ëndërroj. Formula 1 është ndoshta një sport për ëndërrimtarët, sepse gjithçka mund të ndodhë. Të shohim”, tha Alonso.
Duke folur për pritshmëritë, shtoi: “Janë të larta sepse do të kemi një makinë të re, një ndryshim në rregullore dhe Adrian do të jetë aty. Do të jetë momenti i së vërtetës, prandaj pritshmëritë janë të larta. Unë gjithmonë do të kem besim të lartë në veten time derisa”.
Alonso nuk e mohon idenë të vazhdojë të garojë përtej vitit 2026: “Ditën që do të ndihem më i ngadalshëm se shoku im i skuadrës ose më i ngadalshëm se sa është e mundur me makinën që drejtoj, atëherë do të ngre duart lart dhe do të ndaloj. Nëse viti 2026 do të jetë pozitiv mund të garoj ende. Nuk do ta mbyll kurrë derën herët”.