Ferrari rikthehet protagonist në Montekarlo, Leclerc siguron “pole”, zhgënjen Verstappen

25 Maj 2024
17:08
Telesport
back button

Charles Leclerc me Ferrari siguroi “pole position” pasditen e sotme në pistën qytetase të Montekarlo, në atë që është gara e shtëpisë së tij. Piloti monogask dha kohën 1’10”260, duke qenë më i shpejti në pistë.

Për Leclerc kjo është hera e tretë që siguron “pole” në këtë pistë, me shpresën që nesër të thyejë tabunë dhe të korrë fitoren e parë në këtë pistë. Në vendin e dytë u klasifikua Oscar Piastri me McLaren, me të cilën ai do të ndajë vijën e parë të nisjes.

Në vendin e tretë u rendit makina tjetër Ferrari, ajo e Carlos Sainz, që la pas makinën McLaren të Lando Norris. Pra, në katër vendet e para dy Ferrari e dy McLaren, ndërkohë që zhgënjeu Max Verstappen me Red Bull.

Kampioni i botës në fuqi dhe kryesuesi i Botërorit do ta nisë garën e nesërme nga vendi i gjashtë. Para tij, në vendin e pestë, u rendit makina Mercedes e George Russell, që bëri një paraqitje të mirë.

Në “top-10” më të mirët u renditën edhe Lewis Hamilton (i shtati), Yuki Tsunonda (i teti), Alexander Albon (i nënti) e Pierre Gasly (i dhjeti). Zhgënjyen Alonso (i 16-ti) e Perez me makinën tjetër Red Bull, i 18-ti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit