Sot në mbrëmje, Bayern Munich do të luajë në stadiumin “De Kuip” ndaj Feyenoord në Champions League. Një sfidë delikate për bavarezët, që synojnë kualifikimin në fazën tjetër mes tetë skuadrave më të mira për të evituar dy ndeshjet shtesë.
Trajneri Vincent Kompany, pak orë para ndeshjes dha një përditësim për gjendjen e ekipit të tij: “Për ne është e rëndësishme që skuadra po rikuperohet ngadalë. Jo të gjithë janë në të njëjtën formë për shkak të dëmtimeve, por kemi një ekip shumë me përvojë”.
“Kjo është një ndeshje e veçantë jashtë fushe. Si gjithmonë, ne duam të fitojmë dhe të performojmë mirë”, tha më tej trajneri i skuadrës bavareze. Ai tha se nuk e ka vendosur ende nëse Musiala do të luajë sot apo jo
“Unë nuk e shikoj renditjen, por më pëlqeu ky format i ri. Nëse fiton gjashtë ndeshje, je në tetë më të mirët. Çdo gjë tjetër është vështirë të parashikohet, por qëllimi im është të sigurohemi që të fitojmë gjashtë ndeshje”, tha më tej Kompany.
Më tej, duke folur për sfidën e sotme shtoi: “Nuk ka ndeshje miqësore apo ndeshje të lehta. Sot në futboll nuk mund të dallosh më skuadrën e madhe nga e vogla. Kjo ndeshje është prioriteti ynë kryesor për momentin“.






