Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF zhvilloi ditën e sotme punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së Armand Duka dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Përveç delegatëve dhe anëtarëve, në këtë Asamble morën pjesë përfaqësues të qeverive europiane dhe botërore të futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s, si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Ogerta Manastirliu.
Më poshtë fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së Armand Duka e mbajtur në këtë Asamble të Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së:
“Të dashur anëtarë të Asamblesë!
Të dashur miq e të ftuar!
Të nderuar përfaqësues të medias!
Periudha mes dy Asambleve ka qenë një periudhë tepër intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha. Kemi provuar gjatë më shumë se një viti, pothuajse të gjitha ato ndjesi që vetëm futbolli mund ti prodhojë: Emocionet, gëzimin, krenarinë, sakrificën, luftën sportive.
Por ndjenja më e fortë, që spikati, ishte krenaria,
Krenari, e cila gjatë kësaj periudhe, i kaloi jo vetëm caqet e stadiumeve, por edhe ato të kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Në çdo kënd të botës, kudo ku jetojnë shqiptarë pati gëzim, hare dhe festë. Asnjë organizëm, individ, apo parti politike, nuk mund ta bëjë kurrë, atë që bën futbolli.
Shqipëria, dikur jashtë hartës së pretendentëve, u kualifikua për herë të dytë në histori, brenda 8 vitesh, në finalet e Kampionatit Europian. U renditëm të parët në grupin tonë eliminator, duke dhuruar lojë spektakolare dhe shumë emocione. Kjo është një arritje shumë e madhe për futbollin shqiptar dhe tashmë këta djem, ky staf teknik dhe organizativ kanë hyrë në histori. Shorti na kishte vendosur në një grup të vështirë (këtë e tregon fakti se në një grup me pesë skuadra, 3 prej tyre, janë finaliste të Euro 2024), por ne patëm forcën që ti sfidonim të gjithë: Kundërshtarët, vështirësitë, pafatësitë, dëmtimet.
E nisëm rrugën tonë, me një humbje në Poloni. Por kjo, nxori në pah karakteristika shumë pozitive të grupit të futbollistëve dhe stafit: karakterin, sedrën sportive dhe sakrificën. Reagimi ishte fantastik dhe skuadra u bë gati e papërmbajtshme. Ajo reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke zhvilluar ndeshje të paharruara dhe duke e siguruar kualifikimin përpara mbylljes së edicionit.
Tashmë jemi finalistë. Përballë në grup, kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e “grupit të hekurt” të Euro 2024.
Por ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi shumë respekt dhe vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për ti sfiduar, duke dhënë më të mirën me shqiponjën në kraharor dhe me himnin tonë në zemër me qëllimin e vetëm për t’u kthyer fitimtarë. Cilido të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky Kampionat Europian.
Dhe po nuk ja dolëm (që mund të ndodhë për 1001 arsye), e rëndësishme është që të mbajmë kokën lart, duke treguar vlerat tona dhe duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët.
Stafi teknik i ekipit nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe ai i administratës së FSHF po përgatit në detaje, si për fushatën përgatitore që do të zhvillohet në Austri, ashtu edhe në rezidencën zyrtare të ekipit në Gjermani, Kaiserau.
Tashmë jemi gati për të nisur fushatën tonë, në të cilën të gjithë drejtuesit e klubeve dhe futbollistët e kombëtares në vite, janë të ftuarit specialë për ta shijuar e mbështetur këtë sukses të përbashkët.
Shpresojmë shumë dhe uroj që kjo fushatë, të jetë e suksesshme dhe dinjitoze.”.







