Në ndeshjen e fundit ta fazës së parë të Champions League, atë ndaj Monaco, skuadra e Inter do të ketë sërish disa mungesa të rëndësishme. Një ndeshje e rëndësishme për zikaltërit, që synojnë kualifikimin direkt në turin tjetër, duke evituar ndeshjet play off.
Trajneri Simone Inzaghi nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Francesco Acerbi dhe mesfushorin Hakan Calhanoglu. Të dy lojtarët kanë punuar veçmas (bashkë me ta edhe Correa, i cili është jashtë listës së Champions League) dhe 36 orë para ndeshjes kundër francezëve, nuk kanë gjasa të luajnë.
Mesfushori turk ka si objektiv ndeshjen derbi të së dielës ndaj Milan. Stafi mjekësor synonte që ai të luante të mërkurën, por trajneri Inzaghi nuk dëshiron të rrezikojë. Vendin e tij pritet të zërë Klodian Asllani, që u la pushim në kampionat (luajti si zëvendësues i Zielinski).







