Kur kanë mbetur më pak se 500 ditë nga fillimi i Botërorit 2026, i cili do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka dhënë disa lajme të rëndësishme që po tronditin kombëtaren për të ardhmen e Lionel Messi.
Në intervistën për “D-Sports” trajneri kampion bote tha: “A do të jetë Messi? Gjëja e parë që duhet thënë është se ai dhe shokët e tij e dinë se ka ende shumë kohë për të shkuar dhe ai ka dëshirën për të luajtur Kupën e Botës. Të gjithë e kanë atë”
“Gjithsesi, gjithçka duhet t’ia lëmë kohës. Të shohim se si do të arrijmë. Messi e di shumë mirë se çfarë mendojmë ne për të, ai është më inteligjenti nga të gjithë”, shtoi më tej Scaloni.
Sa i përket Angel Di Maria, lamtumira e tij me Albiceleste tani është përfundimtare: “Kur fola me të herën e fundit, ishte shumë i qartë. Dhe kjo është një fazë, siç tha ai, që ka mbaruar. Dhe ishte në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse do të më duhej të shkruaja filmin e tij, historinë e tij të futbollit, nuk do ta kisha shkruar më mirë se si përfundoi”.
Së fundi, ai la një frazë që është bërë virale në rrjetet sociale në lidhje me momentin në të cilin do të duhet të largohet nga kombëtarja e Argjentinës: “Të mendosh se kur do të ndalem është e vështirë”.
“Dita që do të ndodhë, sepse herët a vonë do të largohem nga kombëtarja e Argjentinës, do të jetë dita më e trishtë e jetës sime. Të jesh në këtë vend është një ëndërr. Kur të mos më pëlqejë më, do të më duhet të largohem. Tani për tani jam mirë”, shtoi Scaloni.







