Katër ditë para një tjetër finaleje të Ligës së Kampionëve, të cilën Real Madridi i tij do ta luajë të shtunën, më 1 qershor, në “Wembley” kundër Borussia Dortmundit, trajneri Carlo Ancelotti dha një intervistë për “La Repubblica”. Ish-trajneri i Milanit ka folur edhe për momentin e përjetuar nga klubi kuqezi dhe talentin më të kristaltë, Rafael Leao.
“Unë e ndjek skuadrën kuqezi nga larg, me dashuri. Ne kemi gjetur një Brahim Diaz të jashtëzakonshëm. Milani ka një talent të madh si Leao, por ai duhet të shkundet ndonjëherë. Nëse do të ishte me mua, do ta ‘rrihja’ çdo ditë”. Një koment i fortë, i cili megjithatë synon të jetë edhe i përzemërt, thuajse atëror, ndaj një lojtari të madh në cilësi, por ende shumë jokonsistent.
Problemet në futbollin italian: “Mungesat e dukshme i shoh në silësinë e stadiumeve, mjediset futbollistike. Ka mjaftueshëm për t’u modernizuar. Futbolli italian nuk ka kampionë, përveç Donnarumma në portë. Unë po bëj krahasime me brezin e Pirlos, Tottit, Del Pieros”.
Vështirësitë e djalit të tij për marrjen e licencës së trajnerit: “Davide, i cili punon me mua që në moshën 23-vjeçare dhe tani është 34-vjeç, duhej ta ndiqte kursin në Uells për të marrë licencën e UEFA-s, pasi nuk i plotësonte kërkesat në Itali”.