Kapiteni i Holandës Virgil van Dijk është optimist për shanset e skuadrës së tij në Euro 2024. Eventi fillon në Gjermani muajin e ardhshëm, me “Oranje” që janë në grup me Poloninë, Francën dhe Austrinë.
Van Dijk po vjen nga një sezon solid me Liverpoolin, duke fituar Carabo Cup, arriti në çerekfinalet e FA Cup dhe Europa League dhe përfundoi i treti në Premier League.
Vëmendja tani është kthyer tek Euro 2024, me Holandën që do të luajë dy miqësore, me Kanadanë (6 qershor) dhe Islandën (10 qershor), para fillimit të Europiani me ndeshjen kundër Polonisë më 16 qershor.
Van Dijk është shprehur realist në lidhje me shanset e kombëtares së tij teksa zbuti pritshmëritë:
“Epo, duhet të jemi realist. Unë do të bëj më të mirën dhe jam i emocionuar, gjithçka është e mundur.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kaluar fazën e grupeve, sepse kjo do të jetë shumë e vështirë. Austria është një ekip i fortë, Franca është gjithmonë e vështirë, por ne mund të konkurrojmë me të gjithë,” shtoi ai.
Holanda fitoi Kampionatin Europian të vetëm në vitin 1988, duke mundur ish-Bashkimin Sovjetik 2-0.
Që atëherë, paraqitja e tyre e fundit në një finale të një turneu të madh ishte në Kupën e Botës 2010, ku humbën ndaj Spanjës 1-0 pas kohës shtesë.