Slot: Kur doni të arrini diçka, ju duhen edhe fitore si kjo ndaj Wolverhampton

17 Shkurt 2025
13:21
Alfred Lleshi
back button

Arne Slot, trajneri i Liverpool-it, foli për “Sky Sport” pas fitores 2-1 ndaj Wolverhampton, duke filluar nga paraqitja e portierit të tij: “U tregua i madh, si të gjithë të tjerët, por këtë herë ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Duhej të luftonim dhe kishim nevojë për Alisson. Në një sezon ku dëshiron të arrish diçka, duhet të fitosh edhe ndeshje si kjo”.

Slot theksoi se ndonëse ekipi nuk kishte si plan të mos krijonte raste, disa episode vendosën ritmin e ndeshjes: “Kishim një gol të anuluar për pozicion jashtë loje dhe një penallti të revokuar. Ishim shumë të rrezikshëm në pjesën e dytë. Wolves krijoi shumë rreziqe dhe skuadra jonë vendosi ta mbronte këtë rezultat me çdo kusht. Nëse kjo është ajo që duhet për të fituar një ndeshje, atëherë jam i lumtur që lojtarët e bënë sërish”.

Trajneri holandez foli edhe për ndikimin e lodhjes: “Lodhja vjen nga vrapimi i tepërt dhe nga aspekti mendor. Sot u vendosëm në një provë të fortë psikologjike. Mendonim se shënuam golin e tretë dhe morëm një penallti, por të dyja vendimet u ndryshuan nga arbitri. Kjo mund të ketë ndikuar në lodhjen tonë. Për herë të parë këtë sezon, pashë që lojtarët ishin më të lodhur se zakonisht”.

Slot gjithashtu foli për konkurrencën e fortë në Premier League: “Nuk ka momente pushimi në këtë kampionat. Arsenali ka një seri prej 15 ndeshjesh pa humbje dhe diferenca ka mbetur e njëjtë. Kjo tregon nivelin e lartë të konkurrencës. Nëse dëshiron të luftosh për diçka të veçantë, duhet të fitosh shumë ndeshje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit