Lautaro, shprehje blasfemuese pas Juve-Inter? Flet ish-arbitri i njohur: Ja cila është procedura për pezullim

18 Shkurt 2025
10:43
Alfred Lleshi
back button

Interi u dorëzua në derbin e Italisë kundër Juventusit. Në fund të ndeshjes shpërtheu zemërimi dhe pakënaqësia në kampin zikaltër për humbjen. Veçanërisht i indinjuar ishte kapiteni i skuadrës, sulmuesi Lautaro Martinez.

Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamjet e argjentinasit, i cili shihet i tërbuar pas vërshëllimës së fundit të arbitrit. Kapiteni zikaltër, i cili nuk arriti të shënonte kundër “Zonjës së Vjetër”, duket se shqipton disa fraza blasfemuese. Duket, sepse videoja nuk ka një audio që të dëshmojë qartë atë që dyshohet se ka thënë “Toro”.

Pyetja që shumë po bëjnë tani është: A mund të përballet Lautaro me një pezullim? Neni 37 i Kodit të Drejtësisë Sportive parashikon se “në rast të përdorimit të një shprehjeje blasfemuese, gjatë ose në prag të një ndeshjeje, lojtarët dhe trajnerët ndëshkohen me të paktën një ndeshje pezullim”.

Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, ka ndërhyrë ish-arbitri Graziano Cesari, i cili ishte i ftuar në studion e “Pressing”: “Pamjet do të analizohen me kujdes për të kuptuar saktësisht se çfarë ka thënë kapiteni i Interit. Kjo është një çështje që i takon Gjykatësit Sportiv, pasi të jetë bërë një denoncim nga Prokuroria Federale”.

Për të marrë një vendim zyrtar nga Gjykatësi Sportiv është e nevojshme që blasfemia të jetë e dëshmuar qartë edhe nga një audio, ku fjalët të dëgjohen në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit