Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “Skaner”, ku ka bërë thirrje për një vëmendje më të madhe për futbollin shqiptar. Sipas tij, Ligji për Sponsorizimit duhet të bëhet sa më shpejt.
Klubet menaxhohen në një nivel shumë më të lartë se më parë dhe kanë më shumë të ardhura. Por, që të kemi një futboll ashtu siç e duam dhe të shkojmë në një stad tjetër, në një nivel më të lartë zhvillimi, do të duhet një incentivim apo mbështetje.
Sot pothuajse të gjitha të ardhurat e klubeve vijnë nga vetë aktiviteti i tyre, donacionet e Federatës apo donacionet e FIFA-s dhe UEFA-s. Buxheti i shtetit është zero dhe nuk ka asnjë lehtësi fiskale apo incentivim për ata që investojnë në futboll. Kjo do të ishte një nxitje akoma më e mirë për ta shëndoshur edhe më shumë situatën financiare.
Padyshim që ka edhe shumë gjëra të tjera për t’u përmirësuar; të rriten të ardhurat nga komercializimi i të drejtave, nga biletat, nga rritja e numrit të spektatorëve apo edhe nga prodhimi i futbollistëve. Por prodhimi i futbollistëve është i lidhur, siç e thashë, me një shëndet akoma më të mirë financiar.
Ligji i sponsorizimit duhet të ekzistojë. Ne e kemi argumentuar dhe thënë disa herë që ligji i sponsorizimeve është një domosdoshmëri dhe një e drejtë që i takon sportit.
Ekonomia shqiptare ka përfitim nga futbolli. Futbolli ka një ndikim direkt në ekonomi, që llogaritet me qindra milionë euro, nga ndikimi i drejtpërdrejtë i të gjithë aktivitetit futbollistik shqiptar. Ligji i sponsorizimit nuk është thjesht një donacion; mund të jetë edhe në një formë tjetër. Qeveria mund të zgjedhë të krijojë një buxhet për sportin, gjë që ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi. Jemi i vetmi vend në Europë që e kemi buxhetin për futbollin zero. Shumica e vendeve kanë gjetur si më të përshtatshëm këtë ligj, i cili u krijon lehtësira fiskale atyre që sponsorizojnë në sport. Ka pasur diskutime apo debate përse duhet të jetë kështu apo nëse mund të krijojë mundësi për abuzime.
“Çfarë grope do të krijojë në buxhet? Buxheti në fund të fundit është për të përmirësuar jetën e vendit. Futbolli nuk është thjesht një sport ku vijnë disa spektatorë në stadium, por edukon fëmijët dhe i shërben shoqërisë. Nëse ky buxhet përdoret për të ardhmen e fëmijëve, për t’i edukuar ata, qoftë sportivisht apo mendërisht, kjo nuk quhet gropë.
Nëse do të flasim për shifrat që ligji i sponsorizimit do të sjellë, apo për taksat që do të shkojnë për futbollin, ato do të jenë më pak se kostoja e një kilometri rruge. Sporti nuk është diçka për t’u anashkaluar. E përsëris, është një gjë që i shërben shoqërisë, fëmijëve, edukimit dhe pse jo, edhe gjendjes shpirtërore të njerëzve”.





