Champions League dhuron sot “derbin” gjerman mes Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen, një përballje që pritet të dhurojë spektakël në fushë. Edhe pse në kampionat gjërat shkojnë më mirë për bavarezët, në këtë sfidë nuk ka favoritë.
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, karikon të tijtë duke përdorur një koncept të thjeshtë: “Ji i uritur ose shko diku tjetër. Gjithmonë jam marrë me futboll në ambiente shumë kërkuese dhe jam rritur me këtë motiv”.
“Të bëhesh trajner i Bayern ishte në fakt diçka shumë e njohur për mua. Nuk erdha në një mjedis që nuk e kuptoja, erdha në një mjedis ku u rrita. Unë identifikohem shumë me lojtarët që shoh këtu”, shtoi Kompany.
“Nuk ka ndonjë ndryshim të madh në dhomat e zhveshjes që njihja te Manchester City. Është padyshim një plus. Unë e di se çfarë i motivon ata. Unë e kuptoj se cilat janë ambiciet e tyre dhe cilat janë shqetësimet e tyre të thjeshta”, shtoi trajneri belg.
Më tej, Kompany tha: “Kjo traditë vazhdon çdo ditë brenda këtij klubi. Ne po kërkojmë të vazhdojmë kapitullin tjetër të këtij klubi dhe triumfi në Champions është pjesë e këtij objektivi, pavarësisht se është e vështirë”.
“Kjo nuk është një sfidë që luhet në 90 minuta. Jemi dy skuadra që kemi objektiva të njëjta, ndaj do të jetë një ndeshje e bukur, e hapur dhe ku detajet do të bëjnë diferencën. Bayern duhet të shfaqë atë uri që rrëfeva më lart”, tha Kompany.






