Bordi drejtues i Bayern ka bërë një mbledhje së fundmi, duke përcaktuar strategjinë e merkatos për verën e ardhshme.
Klubi bavarez ka vendosur të largojë disa lojtarë, të cilët nuk kanë performuar në nivelin e pritur nga trajneri Kompany dhe drejtori sportiv Eberl.
Ata janë mbrojtësi Kim dhe sulmuesit anësorë Coman dhe Gnabry. Kim vlerësohet rreth 35 mln euro, po aq sa Coman. Gnabry, ndërkohë, mund të shitet për 30 mln euro.
Duke parashikuar edhe shitjen përfundimtare të francezit Tel te Tottenham (pas huazimit aktual), Bayern do të arkëtojë mbi 50 mln euro të tjera.
Gjithsej, me këto shitje, Bayern do të ketë 150 mln euro në dispozicion për merkaton e verës, duke shtuar edhe 70 mln euro të tjera, të parashikuara nga bilancet e klubit për sezonin e ardhshëm dhe nga kursimet që Bayern po bën nga pagat e larta që ka paguar gjer më sot.
Me 220 mln euro total në dispozicion, Bayern pritet të afrojë një qendërmbrojtës, dy sulmues krahu dhe një zëvendësues për Harry Kane.
Për sa i përket mesfushës, duhet pritur nëse Kimmich do të rinovojë apo do të largohet për të luajtur në një klub tjetër europian. Goretzka i ka rritur performancat e tij së fundmi, kurse Pavlovic konsiderohet i pashitshëm, sepse është talent për të ardhmen.
Laimer nuk e bind 100% trajnerin Kompany, por për të nuk ka oferta nga klube të tjera dhe ai e pranon rolin e zëvendësuesit. Një dilemë tjetër do të jetë Palhinha, i cili nuk ka besimin e Kompany dhe duhet pritur nëse do të dijë t’i shfrytëzojë muajt në vijim.







