Tani është zyrtare! Djali i Rudi Vatës zgjedh kombëtaren irlandeze para Shqipërisë

13 Mars 2025
14:18
Alfred Lleshi
back button

Rocco Vata, një talent i ri futbolli, ka zgjedhur të përfaqësojë Irlandën në vend të Shqipërisë, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me vendin e origjinës së babait, dikur kapiten i kuqezinjve.

I biri i Rudi Vatës, një ish-futbollisti të njohur shqiptar, por me nënë irlandeze, i lindur në Skoci, Rocco ka vendosur të ndjekë rrugën e tij në futboll, duke pranuar thirrjen e Irlandës për të luajtur në nivelet e kombëtares së madhe.

Më konkretisht, 19-vjeçari figuron në listën e lojtarëve të thirrur nga Irlanda për sfidën e marsit kundër Bullgarisë. Kjo zgjedhje ka krijuar interes dhe diskutime, pasi ai kishte mundësinë të përfaqësonte Shqipërinë, vendin nga i cili vjen babai i tij.

Sidoqoftë, Rocco ka theksuar se ky vendim ka qenë shumë personal dhe i bazuar në mundësitë që i ofronte Irlanda për t’u zhvilluar si futbollist. Aktualisht Rocco Vata luan me Watford në Angli, ekip me të cilin ka luajtur 24 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Karriera e deritanishme e djalit të Rudi Vatës
Rocco Vata ka lindur më 18 prill 2005, është futbollist profesionist dhe luan si mesfushor për klubin e EFL Championship, Watford. I lindur në Skoci, ai ka luajtur kombëtaret e moshave të Republikës së Irlandës deri tani.

I lindur në Glasgow, Rocco ndoqi hapat e babait të tij, ish-futbollistit profesionist dhe lojtarit të Celtic, Rudi Vata, duke iu bashkuar Celtic në moshën 7-vjeçare. Ai nënshkroi kontratën e parë profesionale me klubin në fjalë në korrik 2021.

Rocco u përfshi në përgatitjet parasezonale të sezonit 2022-2o23 me ekipin e parë të Celtic, por pastaj luajti me ekipin B të klubit skocez. Pas paraqitjeve të shkëlqyera me ekipet e të rinjve dhe atë B të Celtic, ai u shfaq si një nga lojtarët më premtues të Celtic dhe Irlandës.

Rocco Vata bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Celtic më 28 dhjetor 2022, duke hyrë si zëvendësues për Matt O’Riley, ndërsa Celtic fitoi 4-0 ndaj Hibernian në fushën e vet. Ai shënoi golin e parë në ekipin e të rriturve në fitoren 5-0 kundër Buckie Thistle më 21 janar 2024, në Kupën e Skocisë (2023-2024).

Më 5 korrik 2024, Vata nënshkroi me klubin e EFL Championship, Watford, me të cilin ka kontratë 4-vjeçare. Vata kishte mundësinë të përfaqësonte Shqipërinë prej babait të tij (i cili ka luajtur edhe si kapiten me kuqezinjtë), Irlandën prej gjyshes së tij nga ana e nënës, Skocinë ku ka lindur.

Më 31 gusht 2023, Vata mori thirrjen e parë nga U-21 i Republikës së Irlandës për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian 2025 kundër Turqisë U-21 dhe San Marinos U-21, më 8 dhe 12 shtator 2023. Rocco bëri debutimin e tij për Irlandën U-21 në ndeshjen kundër San Marinos, duke shënuar dy herë në fitoren 3-0 në Turners Cross. Më 22 mars 2024, ai shënoi tripletë në paraqitjen e dytë për irlandezët, në fitoren 7-0 kundër San Marinos U-21.

Më 13 mars 2025, Rocco Vata mori thirrjen e parë nga kombëtarja e të rriturve të Republikës së Irlandës, për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Bullgarisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit