Arnautovic, asist për Inzaghin: Jam në formë të shkëlqyer, dua të fitoj gjithçka këtë sezon

22 Mars 2025
9:40
Alfred Lleshi
back button

Marko Arnautovic luajti 90 minuta në fushë, dha një assist, pati edhe një moment paniku (goditje në gju, që i shkaktoi frikë, siç e tregoi vetë pas ndeshjes). Austriaku u tregua i dobishëm jo vetëm për kombëtaren e tij (Austria barazoi 1-1 me Serbinë), por sidomos për Interin, në këtë fazë të fundit të sezonit.

Me Lautaro ende jo në formën më të mirë, Thuram që po rikuperohet nga dëmtimi në kyçin e këmbës dhe Taremi, ende pa shkëlqim, Arnautovic është gati të japë kontributin e tij për Simone Inzaghin. Këtë e ka treguar tashmë me golat ndaj Lazios në Kupën e Italisë, si dhe ndaj Fiorentinës e Monzës në kampionat.

Në një intervistë për “Sportmediaset”, ai u shpreh: “Jam në një formë të shkëlqyer. Po, gjithmonë ndihem gati për ta ndihmuar Interin, që është ekipi i zemrës sime. Sa herë që më kërkohet, unë jam gati dhe jap gjithmonë 100%, madje 120%. Është bukur të luaj nga minuta e parë, por shpresoj që edhe shokët e skuadrës të jenë në dispozicion sa më shpejt, sepse kemi nevojë për të gjithë”.

Përveç kontributit në fushë, Arnautovic është lojtar me përvojë dhe figurë e rëndësishme në dhomat e zhveshjes. Kur u pyet për mundësinë e fitimit të tripletës sezonale, ai nuk ngurroi të përgjigjej:

“E kam thënë gjithmonë, tripletën e kam shijuar si tifoz, do të ishte gënjeshtër të thoja të kundërtën. Tani jam një lojtar i vërtetë, po luaj më shumë dhe po mundohem të jap gjithçka për Interin. A synojmë t’i fitojmë të katër kompeticionet e këtij sezoni, në të cilat jemi ende në garë? Patjetër, patjetër”.

Një mesazh i qartë për Simone Inzaghin dhe të gjithë tifozët zikaltër: Arnautovic është gati të japë gjithçka në këtë finish sezoni.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit